Një agjent i kufirit në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është arrestuar nga policia pasi dyshohet se është vrasës serial. Sipas BBC, agjenti Juan David Ortiz dyshohet për vrasjen e katër grave.
Autoritetet amerikane dyshuan për kolegun e tyre, pasi një grua e pestë mundi t’i arratisej atij dhe të kërkonte ndihmë tek policia lokale. Emrat e viktimave nuk janë publikuar, por policia tha se ato kishin punuar si prostituta.
Agjenti i patrullës, Ortiz i cili ka punuar 10 vite për policinë kufitare, u arrestua në parkingun e një hoteli. Sherifi i qytetit deklaroi se vrasësi serial kishte vepruar i vetëm dhe nuk ka bashkëpunëtorë. Dy prej grave që ai ka vrarë u gjetën në një zonë rurale në fillim të muajit, kurse viktima e tretë dhe e katërt u zbuluan gjatë ditëve të fundit.
Prokurori e cilësoi ngjarjen si një rast të tmerrshëm, ndërsa polici vrasës do të përballet me katër akuza për vrasje dhe rrëmbim. Hetuesit po përpiqen ende që të gjejnë motivin e vrasjes së prostitutave. Dy prej viktimave ishin shtetase amerikane, kurse një tjetër ishte grua transgjinore.
/tvklan.al