14-vjeçari, që vrau me thikë bashkëmoshatarin e tij dhe plagosi një tjetër, në afërsi të shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në kryeqytet, është arrestuar nga policia e Tiranës. Ai akuzohet për “Vrasje me dashje e kryer ndaj të miturit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Autori ndodhet në një spital privat, aty ku shkoi vetë pas ngjarjes së rëndë të regjistruar pak metra larg shkollës ku ai studionte. I mituri mbeti i lënduar nga përdorimi i thikës me të cilën goditi dy bashkëmoshatarët e tij. Dëmtimin e marrë në dorë, autori e ka shpërndarë përmes një fotoje në Snapchat.
Postime të tilla në rrjete sociale nga ana e 14-vjeçarit, duket se kanë qenë të shpeshta. Siç mund ta shihni dhe në këtë video të shpërndarë prej tij, autori ka postuar pamjet e një thike të madhe që mban në duar.
Ky material, por dhe shumë të tjera, janë administruar nga policia dhe prokuroria e Tiranës, të cilat po merren me hetimin e ngjarjes. Dyshimet e deritanishme janë se ngjarja ka ardhur pas një zënke mes viktimës dhe autorit të premten e shkuar.
Ndërkohë të hënën ishte lënë si dita për sqarimin e zënkës me tyre, sherr që i mori jetën 14-vjeçarit, M.C., me thikë në zemër, si dhe la të plagosur shokun e tij.
Ky i fundit u godit 4 herë me thikë dhe vijon të jetë në spitalin e Traumës në gjendje të stabilizuar.
Tv Klan