E ndërsa raportet ndërkombëtare e nxijnë Shqipërinë për varësinë e adoleshentëve nga rrjetet sociale dhe përdorimin e tyre problematik, ekspertët thonë se të rinjtë sot po jetojnë dy jetë paralele, çka u shkakton ngarkesa emocionale të papërballueshme.

“Çfarë na kanë bërë rrjetet sociale? Na kanë bërë që të jetojmë dy jetë paralele, është shtuar presioni tek të rinjtë, ka rritur dozat emocionale, janë të parapërgatitur për t’u ndërmarrë, për të reaguar ndaj ngjarjeve të rrjeteve sociale, nuk janë të informuar mjaftueshëm për ndikimin që ato kanë”, thotë sociologia Erisa Dhamo.

Përdorimi masiv dhe pa kriter rrjeteve sociale, sipas ekspertëve vjen jo vetëm si pasojë e neglizhencës në familje, por edhe në shkollë.

“Rrjeti social është burimi më i madh i keqkuptimeve dhe konflikteve tek të rinjtë. Shkolla duhet ta ketë të ndaluar përdorimin e telefonit. Nuk është kosto e lartë të ndalohen valët në sistemin arsimor”.

Sociologët thonë se ngjarja e së hënës mund të ishte parandaluar, nëse të gjithë do kryenin rolin e tyre dhe veçanërisht shkolla, e cila në këtë rast ka dështuar bashkë me të gjitha hallkat e saj, përfshirë oficerët e sigurisë.

“Oficeri i policisë duhej të bënte procedurën për raportimet, të mos i mbyllim çështjet dhe kur ndodhi çështja atëherë të flasim. A ka një dokumentacion sa herë është raportuar për këta fëmijë, sa herë këta fëmijë janë konsultuar nga psikologu, sa herë ka evidentuar personi përkatës që ka lidhej me sigurinë në shkollë që ka problematika, por edhe fëmijë të klasës, cili është raporti mes dy të rinjve duhet të forcohet shkolla, mësuesi nuk duhet vetëm të vendosë nota”.

Në vend numërohen 240 oficerë sigurie të shpërndarë nëpër shkolla. Deri tani nuk ka të dhëna se sa është numri i ngjarjeve problematike të evidentuara gjatë një viti.

Një fëmijë rritet nga familja, por dikur ka qenë shprehja një fëmijë e rrit një fshat i tërë”.

Tv Klan