Akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash
Arrestohet me urdhër të Gjykatës së Posaçme, Evis Berberi, drejtori i Përgjthshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar. SPAK ka ngritur ndaj tij dy akuza: Korrupsioni pasiv dhe pastrim parash. Bashkë me të janë arrestuar dhe dy biznesmenët: Elvis Lami dhe Valter Begaj.
Evis Berberi u arrestua mbrëmjen e së mërkurës, ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, iu sekuestruan Paundë, Euro dhe Lekë, në total rreth 4 milionë Lekë të reja dhe disa piktura të shtrenjta. Këto hetime kanë nisur nga vetë SPAK pa denoncim. Atij i janë sekuestruar celularë, laptopë dhe disa dokumenta. Klan News ka mësuar se nga kqyrja e telefonave celularë janë zbuluar komunikime mes tre të arrestuarve. Hetimet po kryhen nga prokurori i SPAK, Dritan Prenci.
Nga hetimet rezulton se Ervis Berberi ka dhënë 6 tendera nga të cilët ka përfituar para. 3 të parat me vlërë mbi 137 milion Lekë gjatë kohës kur ishte drejtor i agjensise se eficencës së energjisë. 3 tenderat e tjerë me vlere 102 milion Lekë i ka dhënë gjatë kohës kur drejtonte Autoritetin Rrugor Shqiptar.
SPAK deklaron se Evis Berberi ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëria “Net Group”,sh.p.k., përfituese e prokurimeve publike, shuma të parregullta monetare nëpërmjet shoqërisë “Daam sh.p.k., të kontrolluar prej tij.
“Marrja e këtyre përfitimeve është realizuar pas fitimit të procedurave të prokurimit nga ana e shoqërisë “Net Group”, sh.p.k., në zotërim të shtetasit nën hetim Valter Begaj prokurime publike të zhvilluara me titullar të autoritetit kontraktor, shtetasin Evis Berberi dhe më pas kanë kaluar vlera monetare nëpërmjet transaksioneve në drejtim të shoqërisë në zotërim indirekt të shtetasit Evis Berberi Daam sh.p.k, me përfitues shtetasin Evis Berberi”
Gjykata e Posaçme do të zhvillojë seancën për verifikim të masës së sigurimit brënda 48 orëve. Berberi dhe dy të dyshuarit e tjerë do të japin shpjegime para gjykatës.
Klan News