Avokati: S’ka dhënë tender në mënyrë të padrejtë
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në burg Drejtorin e ARRSH, Evis Berberi dhe dy biznesmenët Valter Begaj dhe Ervis Lami.
SPAK dyshon se Berberi ka konsumuar veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave, akuza këto që u hodhën poshtë nga avokati i tij.
“Nuk ka përfituar në mënyrë të padrejtë, asnjë tender nga ana e Evis Berberit. Nuk ka vlera ekonomike të marra apo të përfituara nga ana e zotit Evis Berberi në favor të tij nga shoqëritë që pretendohet në këtë proces hetimor”, tha avokati.
Sipas SPAK, Valter Begaj, administrator i kompanisë Net Group SHPK, përfitoi 3 tendera në kohën kur Berberi ishte Drejtor i Përgjithshëm për Eficencën e Energjisë me vlerë totale 137.4 milionë lekë dhe 3 tendera të tjerë, me vlerë 101.8 milionë lekë, kur ai drejtonte ARRSH-n.
Tenderat e përfituar lidhen me konsulenca projektesh që janë fituar me çmim më të ulët nga kompania në të cilën sipas hetimeve rezultoi që Berberi të ishte akoma pjesë. Për fitimin e këtyre tenderave, kjo kompani rezulton se i ka kaluar në rrugë bankare mbi 223 milionë lekë kompanisë tjetër DAAM SHPK, e cila kohë më parë ka qenë në pronësinë e Evis Berberit.
Tv Klan