Elvs Gaçaj, 50 vjeç, është vënë në pranga nga ana e efektivëve të komisariatit numër 2 dhe forcat “Shqiponja”. Gaçaj është i njohur si pjesëtar i klanit “Duka” në Tiranë. Uniformat blu kishin informacion për dy persona të cilët ishin duke lëvizur të armatosur dhe organizuan grupin e punës për ndalimin e tyre.
Shërbimet e policisë fillimisht kanë ndaluar automjetin tip “Volkswagen”, me drejtues Marsel Dobi dhe pasagjer Elvis Gaçaj.
Gjatë kontrollit fizik të Elvis Gaçaj, shërbimet e policisë “Shigjeta” gjetën e sekuestruan një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një sasi lëndë narkotike kanabis.
Elvis Gaçajt i janë vënë prangat për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”. Ndërsa Marsel Dobi është ndaluar pasi dyshohet se ka konsumuar element të veprës penale “Moskallëzim krimi”.
Uniformat blu bëjnë me dije se edhe më herët 50-vjeçari ka qenë i dënuar disa herë për armëmbajtje pa leje, për trafikim narkotikësh dhe për vjedhje me dhunë. Gaçaj është hetuar edhe për vrasjen e ish-policit Santiago Malko në kryeqytet, ngjarje e ndodhur në Gusht të 2019.
Fillimisht Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë e dënoi me 7 vite burg, por Gjykata e Posaçme e Apelit e prishi vendimin dhe e riktheu çështjen për rigjykim.
Burime bëjnë me dije për Klan News se gjatë fazës së gjykimit nuk janë gjetur prova për lidhjen e Gaçajt me vrasjen e Santiago Malkos dhe çështja është ndarë duke i kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje”.
Klan News