Arrestohet kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj. Ky është momenti kur ai del nga zyra e tij dhe shoqërohet nga oficerët e BKH-së drejt makinës.
Me kërkesë të SPAK dhe vendim gjykate, Veliajt i janë vënë prangat rreth orës 13:30. Gjithashtu gjykata ka vendosur për bashkëshorten e tij, “arrest në shtëpi”, e cila ndodhet jashtë shtetit.
Kryebashkiaku i Tiranës është dërguar në bllokun e sigurisë në rrugën “Mine Peza” në kryeqytet.
Ndaj Veliajt SPAK ka ngritur akuza korrupsioni pasiv kryer në bashkëpunim në të paktën 9 raste dhe pastrim parash.
“Rezulton se, nga shtetasit nën hetim, Erion Veliaj si edhe bashkëshortja e tij është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme”.
SPAK thotë në njoftimin zyrtar se si përfundonin fondet publike tek njerëzit e afërt dhe bashkëshortja e kryebashkaiakut Veliaj
“Kryetari i Bashkisë Tiranë, shtetasi E. V., përmes veprimeve konkrete të cilat kanë kulmuar me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e fondeve publike si edhe lejet e ndërtimit tek disa subjekte tregtare, të lidhur ngushtë me të. Këto fonde më pas kanë përfunduar tek disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e tij, shtetësja Ajola Xoxa si edhe individë të afërt me këtë të fundit”.
SPAK në njoftimin zyrtar thotë se ka siguruar prova të mjaftueshme për të konkluduar se shtetësja Ajola Xoxa, vetë ose nëpërmjet personave të tjerë të afërt me të, për një periudhë kohore prej rreth 4 vitesh, ka bërë blerje online të cilat konsistojnë në veshje, bizhuteri etj, në masën 86,721,175 lekë, të cilat nuk janë deklaruar.
Po me vendim gjykatë që mban datën 10 Shkurt është caktuar masë e sigurimit pasuror, në lidhje me llogaritë bankare ne emër të Ajola Xoxës dhe shoqërive të lidhura me të, në shumën prej 869,149.78 Euro.
Prokuroria e Posaçme informon se gjatë kontrollit të ushtruar pranë zyrave të shoqërisë së administruar nga Ajola janë gjetur në një kasafortë dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi të hollash, prej rreth 95 mijë Euro 14 mijë Dollarë dhe 665 mijë Lekë.
Prokuroria e Posaçme thotë se po kryen hetime paraprake ndaj deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, Klotilda Bushka.
“Emri i kësaj të fundit është regjistruar në regjistrin përkatës të njoftimeve si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, thotë SPAK.
Në lidhje me hetimet e nisura, gjykata ka gjithashtu ka vendosur detyrim paraqitje për Gentian Sulën, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu e Shkëlqim Fusha.
Hetimet ndaj tyre drejtohen nga dy prokurorët e SPAK, Altin Dumani e Olsi Dado. Brenda 48 orëve kryebashkiaku Veliaj dhe të akuzuarit e tij do u komunikohet masa e sigurisë.
Klan News