Provat e reja që paraqiti prokuroria në Gjykatën e Apelit kundër Erion Veliajt u bënë shkak i shtyrjes së seancës ditën e djeshme për shkak se avokatët kërkuan kohë të njihen me provat.

Pas seancës rreth 7 orë që zgjati të martën, sot në mesditë Gjykata e Apelit do të rinisë shqyrtimin e ankimit të kryebashkiakut Erion Veliaj dhe 4 biznesmenëve që kundërshtojnë masat e sigurisë.

Por, prokurorët e SPAK, nuk kanë ndryshuar qëndrim dhe vijojnë të kërkojnë që kryebashkiaku të vijojë të qëndrojnë në të njëjtën masë “arrest në burg”.

Nëpërmjet avokatëve, Erion Veliaj, kërkoi një masë sigurimi më të butë, duke e konsideruar masën e “arrestit në burg” si jo proporcionale, pasi siç argumentuan ata ai nuk ka rrezik për largim dhe as prishje të provave.

Ata gjithashtu i kërkuan Gjykatës së Apelit lirinë me garanci pasurore. Lirinë kërkoi edhe biznesmeni Elman Abule, i arrestuar bashkë me Veliajn për dyshimet se është përfshirë në korrupsion.

Masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur” e kundërshtuan edhe avokatët e 3 biznesmenëve të tjerë, Meriman Palushi, Shkëlqim Fusha dhe Gentian Sula, të vënë nën hetim për korrupsion.

Gjyqtari Engert Pëllumbi nuk pranoi gjatë seancës së të martës as kërkesën që si vëzhgues në këtë seancë, të qëndronte avokati amerikan Joshua Roberts, i pajtuar nga kryebashkiaku.

Veliaj u arrestua më 10 Shkurt, i akuzuar për dy vepra penale, atë të “korrupsionit pasiv” në 9 raste dhe “pastrim parash”. 2 ditë më vonë, u verifikua masa e “arrestit me burg” ndaj tij në GJKKO, ndërkohë që për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa u caktua masa “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”. Ndërkohë prej 1 muaji tashmë, Veliaj ndodhet në ambientet e paraburgimit në Durrës.

Klan News