Këto janë pamjet, kur Safet Bajri i buzëqeshur, ndonëse me pranga në duar, i shoqëruar nga forcat RENEA, futet në ambjentet e Drejtorisë së Policisë Tiranë.
Ai u arrestua në Shkodër mëngjesin e kësaj të premte, aty ku iu komunikua masa e sigurisë “arrest me burg”, pas dyshimeve se është përfshirë në vrasjen e Fatbardh Licit më 10 Gusht 2018 në Shkodër.
Po për këtë ngjarje, krahas Safet Bajrit, SPAK dyshon se është të përfshirë dhe i afërmi i tij Behar Bajri i njohur dhe me mbiemrin Brajoviç dhe Astmer Bilali, të dy në qeli për dosjen “Metamorfoza”, të cilëve u është komunikuar masa e re sigurie “arrest me burg”.
Tashmë ndaj tyre janë ngritur veprat penale vrasje me paramendim e kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
“Nga hetimet e kryera në kuadër të këtij procedim penal, i cili lidhet me disa ngjarje kriminale të ndodhura në qytetin e Shkodrës në vitin 2018, rezulton se janë mbledhur prova mbi të cilat është krijuar dyshimi i arsyeshëm se personat nën hetim; Behar Bajri, Astmer Bilali dhe Safet Rustemi kanë planifikuar, organizuar dhe kanë kryer më 10.08.2018, në qytetin e Shkodrës, vrasjen me armë zjarri të shtetasit Fatbardh Lici, i afërm i shtetasit Ibrahim Lici. Motivi i vrasjes së tij dyshohet se lidhet ndër të tjera me atribuimin që shtetasi Behar Bajri, i bën shtetasit Ibrahim Lici për vrasjen e të njohurit të tij, shtetasit Boran Berçana”, njoftoi SPAK.
30-vjeçari Berçana u ekzekutua në makinë më 16 Korrik të 2018, së bashku me bashkëshorten e tij, Silvi Ndoci ndërsa shpëtoi djali i tyre 2-vjeçar që gjendej në sediljet e pasme të automjetit.
Avokati i Safet Bajrit, tregoi për mediat detaje nga arrestimi i klientit të tij teksa tha se nuk ka dijeni për provat që e implikojnë atë.
“Është për një çështje që është gjykuar një herë. Nuk është arrestuar por ka vajtur vetë në Shkodër. Në atë moment është bërë me dije për një kampion ADN-je”, tha avokati.
Po ashtu Safet Bajri ose Safet Rustemi ka qenë i dënuar edhe në Belgjikë me 9 vite heqje lirie si kreu i një organizate kriminale për trafikun e drogës dhe prostitucionit. Këtë dënim ai e kreu në Shqipëri deri në Mars 2023, kur fitoi lirinë me kusht.
Tv Klan