Rritja e cilësisë së arsimit profesional është në fokus të qeverisë. Drejtoria e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, Ejvis Gishti tha se interesi i të rinjve për arsimin profesional po vjen në rritje, sidomos për disa degë specifike siç është dhe turizmi.
Ejvis Gishti, drejtore e përgjithshme, AKAFPK: Duhet të kemi parasysh se ka një ulje si pasojë e lëvizjeve demografike, por megjithatë në arsimin profesional ne vëmë re një stabilitet në regjistrime, por edhe rritje sidomos në sektorë që duket se janë prioritarë siç është hoteleri-turizmi, Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit që do të thotë se është shtuar vëmendja e prindërve dhe fëmijëve që këto degë në fakt sjellin një punësim të sigurtë.
Nxënësit që ndjekin arsimin profesional në pjesën më të madhe janë të punësuar pa dalë nga bankat e shkollës. Por nevojat e tregut janë më të mëdha.
Ejvis Gishti, drejtore e përgjithshme, AKAFPK: Të gjithë ekspozohen në një formë apo në një tjetër në ambientet e biznesit që do të thotë se ata bëjnë praktika profesionale në bizneset e turizmit dhe mikëpritjes dhe realisht në këtë formë ata në njëfarë mënyre janë talente që më pas përzgjidhen nga bizneset për të punuar me kohë të plotë. Mbi 60% e tyre sipas studimeve të gjurmimit pas maturës janë punësuar në një biznes që lidhet me fushën e tyre për të cilën ata janë kualifikuar.
Në konferencën e dedikuar për arsimin profesional ishte i pranishëm edhe ambasdori austriak në Tiranë Christian Steiner i cili tha se mbështetja financiare e qeverisë austriake ka në fokus rritjen e cilësisë në arsimin profesional në Shqipëri.
Klan News