Shega, fruti simbol i Lezhës, e njohur për shijen e saj, por edhe për vlerat kurative, kultivohet jo vetëm në fusha e plantacione, por ndodhet edhe në shumë sipërfaqe me shegë të egër.

Për specialistët e kulinarisë, shega është përbërësi kryesor i gatimeve tradicionale të cilat po kërkohen gjithnjë e më shumë nga vizitorët e huaj. Një prej bizneseve agroturizëm në zonën e Fishtës prej 13 vitesh mbledh frutin e shegës nga banorë të zonës dhe atë e përdor në kuzhinë.

Jo vetëm në embëlsira, por edhe kombinimi kripë dhe sheqer, mes shegës me djathit është mjaft i përdorur nga specialistët e kulinarisë.

Në Lezhë ky frut ka gjithashtu edhe festën e tij. I kthyer tashmë në traditë, në panairin e shegës ekspozohen produkte e gatime të ndryshme me këtë frut.

Për bashkinë e Lezhës, synimi kryesor mbetet jo vetem kthimi në një traditë të kësaj feste por edhe promovimi i kulinarisë së pasur.

Kjo është një nga festat me rëndësi në kalendarin e pasur me aktivitete në Lezhë që organizohen në periudha të ndryshme të vitit.

Tv Klan