Modeli zgjedhor proporcional rajonal është sistemi më i thjeshtë dhe shmangë në mënyrë përfundimtare deformimin e votave, kështu ka deklaruar kreu socialist Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme Kombëtar të mbledhur në Vorë, ku ka mbajtur nismën kushtetuese për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Edi Rama: “Ky sistem na jep një përfaqësim më në fund të balancuar në të gjithë territorin e Shqipërisë nga veriu në jug dhe i jep fund ndarjes në blu e në të kuqe të hartës së Shqipërisë. Ky është një sistem, i cili na ndihmon në procesin e domosdoshëm të rajonalizimit të politikave, të rajonalizimit të përfaqësimit. Forcat politike duhet të peshohen në elektorat dhe ne kandaret parazgjedhore.”

Ai i ka konsideruar akuzat e ngritura nga disa parti opozitare për një marrëveshje të fshehtë mes PS dhe PD për çështjen e sistemit zgjedhor si të pa vërteta dhe mllef të politikës së vjetër.

Edi Rama: “Më vjen keq sepse këto reagime janë shprehje e mllefit, e një mllefi të vjetër, në një politikë të vjetër që s’na çon asgjëkund sepse mllefi nuk është filozofi që për ne është një proces i hapur, është një proces transparent, është një proces që ne e udhëheqim dhe e argumentojmë ashtu siç ne e gjykojmë se është në të drejtën tonë.”

Në mbledhjen e asamblesë të zhvilluar jo rastësisht në zonën ku ndodhi shpërthimi tragjik i 15 marsit Rama tha se do të ndërmerret një nisëm ligjore nga deputetët socialist, për të realizuar një dëmshpërblim të drejtë të gjithë banorëve të dëmtuar nga tragjedia./tvklan.al

Gazetare: Anila Rama