Qeveria ka vendosur që mos e lerë më në dorë të gjykatave administrimin e aseteve që konfiskohen nga krimi i organizuar. Një projektligj i firmosur nga ministrja e Financave Anila Denaj, tashmë i jep të drejtë Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara që të marrë në administrim të gjitha pasuritë që konfiskohen nga krimi.
“Si një institucion plotësisht funksional, me staf dhe me fonde, kjo agjenci kombëtare duhet të administrojë të gjitha pasuritë e sekuestruara, qoftë civile dhe penale, për të qenë plotësisht efektive. Por Gjykatat e Rretheve gjyqësore nuk janë të detyruara t’ia kalojnë pasuritë që sekuestrohen gjatë proceseve penale që ato zhvillojnë, pasi nuk ka një ligj që t’i detyrojë t’a bëjnë”
, thuhet në relacion.
Aktualisht shumë pasuri të konfiskuara nuk administrohen duke sjellë të ardhura të munguara edhe në buxhetin e shtetit, thotë relacioni i ligjit.
“Pasuritë e konfiskuara në procesin penal i mbesin për administrim Gjykatës, e cila i vetëmenaxhon ose ia cakton administrimin një burimi të jashtëm dhe në shume raste mbesin të pa administruara fare dhe në mëshirë të fatit”.
Ligji i ri po ashtu eleminon edhe mbivendsojet e procedurave për marrjen në administrim të pasurive të krimit, si dhe lejohet shitja e disa aseteve të cilat mund të kenë amortizim në kohë. Të gjitha ndryshimet ligjore në këtë fushë po vijnë pas rekomandimeve që ka bërë Komiteti i Ekspertëve në Këshillin e Europës në fushën kundër pastrimit të parave të pista. Në raportin e fundit të Moneyval, Shqipëria kishte një progres të moderuar në këtë fushë, ndërsa thuhej se vlera e aseteve të konfiskuara ishte shumë e ulët përpara nivelit të krimit në Shqipëri.
Tv Klan