Masat anti-Covid në Mbretërinë e Bashkuar janë ashpërsuar mes frikës në rritje nga varianti i ri Omicron, që sipas kryeministrit Boris Johnson do të dyfishojë të infektuarit për 2-3 ditë.
Johnson u shpreh se Anglia do të “kalojë në planin B” dhe do të rikthejë kufizime për të punuar nga shtëpia duke nisur nga e hëna, si dhe do të detyrojë përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura. Nga java e ardhshme, pasaporta shëndetësore e Covid-19 do të jetë e detyrueshme për të hyrë në klubet e natës dhe vendet me grumbullime masive.
Sipas ministrit të shëndetësisë, Said Javid varianti Omicron po përhapet më shpejt se çdo variant tjetër i studiuar dhe mund të rezultojë në rreth 1 milion infektime në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar deri në fund të muajit nëse rastet vazhdojnë të rriten me këtë ritëm. Pas Britanisë së Madhe edhe në Danimarkë po vendosen përsëri kufizime. Rregullat e reja përfshijnë mbylljen e shkollave fillore nga 15 dhjetori dhe të restoranteve e bareve.
Autoritetet kanë rekomanduar qytetarët të punojnë nga shtëpia të shmangin kontaktet sociale . Vendi nordik ka regjistruar nivele rekord të rasteve të reja të koronavirusit gjatë javëve të fundit.
Klan News