Thirrje për shpërndarje të ndershme të vaksinave

Pandemia ishte kryefjala e takimit të këtij viti të Papa Françeskut me ambasadorët e 183 vendeve që kanë marrëdhënie diplomatike me Vatikanin. Gjatë fjalës së tij, Ati i Shenjtë bëri u bëri thirrje vendeve të botës për shpërndarje të ndershme të vaksinave sipas nevojës.

“Inkurajoj të gjithë vendet të japin kontributin e tyre në mënyrë të vazhdueshme në përpjekjet ndërkombëtare për të garantuar një shpërndarje të barabartë të vaksinave, bazuar jo vetëm tek kriteri ekonomik por tek nevojat e të gjithëve, sidomos e njerëzve në nevojë”.

Në takimin e përvitshëm me diplomatët e huaj ishte e pranishme edhe drejtuesja e Ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, zonja Majlinda Dodaj.

Në fjalën e tij, Papa Françesku e vuri theksin edhe tek pasojat ekonomike dhe sociale të pandemisë. Ai u kërkoi qeverive të bëjnë ç’është e mundur për frenimin e ritmeve të larta të shtimit të papunësisë, ndërsa shprehu shqetësimin se në shumë vende masat kufizuese po keqpërdoren për kufizimin e të drejtave të njeriut.

Ati i Shenjtë u bëri po ashtu thirrje politikanëve, të zbatojnë ligjet në mënyrë të paanshme dhe mos punojnë për interesa të ngushta të palëve.

Tv Klan