Pas karantinës së pjesshme, Austria do të forcojë akoma më shumë masat kundër Covid-19. Kancelari austriak Sebastian Kurz u bëri thirrje qytetarëve që të mos takojnë asnjë person jashtë shtëpive të tyre. Ai tha se shkollat do të mbyllen ndërsa studentët do të ndjekin leksionet nga shtëpia.

Sa i përket bizneseve që ofrojnë shërbime jo thelbësore, të tilla si floktoret etj, do të qëndrojnë të mbyllura. Qytetarëve u është thënë që të punojnë nga shtëpia nëse është e mundur. Masat e reja do të hyjnë në fuqi të martën dhe do të zgjasin të paktën 2 javë e gjysmë, deri më 6 Dhjetor.

Forcimi i masave vjen si një përpjekje për të ulur numrin e të infektuarve me koronavirus. Të premten, Austria deklaroi 9568 raste të reja infeksioni, një shifër 9 herë më e lartë se sa në kulmin e valës së parë të pandemisë gjatë Pranverës.

Ministri austriak i Shëndetësisë tha se ky është shansi i fundit për të ndalur kolapsin në sistemin shëndetësore, që është i mbingarkuar për shkak të numrit të lartë të pacientëve të infektuar. /tvklan.al