Presidenti amerikan Donald Trump kërcënon Kinën me vendosjen e tarifave të reja në importet e mallrave, duke përshkallëzuar ndjeshëm atë që ekspertët e cilësojnë si “lufta tregtare” mes dy superfuqive botërore.
Gjatë një mbledhjeje, kabineti shefi i Shtëpisë së Bardhë propozoi shtrëngime financiare për më se 100 produkte të prodhuara nga Kina, që arrinin shumën e 100 miliardë dollarëve. Nëse miratohet, masa ndaj Pekinit i shtohet asaj prej 60 miliardë dollarësh të vendosur nga SHBA-të një javë më parë, e shpjeguar nga Trump si dëmshpërblim për vjedhjen e inteligjencës teknologjike amerikane nga kompanitë kineze.
SHBA-të kanë vendosur gjithashtu rritjen e tarifave për importin e çelikut dhe aluminit. Një lëvizje që ngjan si një tjetër goditje për Kinën, prodhuesi më i madh i çelikut në botë.
Pekini reagoi menjëherë ndaj masave të Uashingtonit, duke rritur tarifat për importin e prodhimeve amerikane të mishit dhe verës. Kina kërcënoi se do të luftojë me çdo kusht dhe do të marrë masat e duhura, duke ftuar SHBA-të të ulen në bisedime.
Nga ana tjetër Trump ka hapur një front polemikash edhe me Meksikën. Nëse vendi fqinj nuk nis ndërtimin e murit përgjatë kufirit, ne do të dalim nga marrëveshja për tregtinë e lirë në kontinetin amerikan, tha Trump.
Tv Klan