Televizioni Klan ka prej vitesh tashmë një programacion të pasur me seriale cilësore televizive, të përzgjedhura me shumë kujdes nga Drejtori i Programacionit, Albert Dumani. Por kësaj vere i shtohen edhe emocionet e sportit me kampionatin Euro 2024 që është vetëm 3 ditë larg.

Megjithatë, veç etheve që na kanë kapluar për këtë event  të madh sportiv, nuk mungon as kureshtja për serialet e dashura dhe të suksesshme që transmetohen në logon e Tv Klan. Një prej tyre është “Tokë e hidhur” për të cilin Dumani jep lajmin e mirë në “Rudina” se nuk do të ndërpritet.

Veç serialit, teleshikuesit do të vazhdojnë të ndjekin në të njëjtat orare edhe programin e pasdites si dhe edicionin e lajmeve, ndërsa ndeshjen e orës 18:00 mund ta shohin në Klan Plus.

Albert Dumani: Ne nuk do ta shkëpusim, do të jetë në transmetim gjatë gjithë verës, po ashtu edhe gjatë transmetimit të kampionatit europian sepse kemi bërë një gërshetim interesant ku ndeshjet e orës 18:00 do të transmetohen në Klan Plus, ndërsa ndeshjet e orës 15:00 dhe orës 21:00 do të transmetohen në Tv Klan kështu që emisioni më i ndjekur i pasditeve, “Rudina”, së bashku me “Tokë e hidhur” dhe me edicionin e lajmeve do të jenë në të njëjtin orar të përditshëm në Televizionin Klan.

Një ndryshim i vogël do të jetë vetëm për dy prej serialeve që do t’u mungojnë për rreth 1 javë teleshikuesve, por do të rikthehen shumë shpejt.

Albert Dumani: Do të kemi një mungesë të dy serialeve që është “Amaneti” me Nik Xhelilaj dhe “Për familjen time” por vetëm 7 ditë do të zgjasë sepse aq janë edhe 7 ndeshjet e orës 15:00.

Ndeshjet e Euro 2024 do të mund t’i ndiqni ekskluzivisht dhe falas vetëm në ekranin e Tv Klan./tvklan.al