Kërkimet vijojnë, policisë i bashkohet edhe babai i Danjel Pepajt
Kontrollet për gjetjen e 3 kushërinjve Vilson Çutaj 37 vjeç, Klement Pepaj 21 vjeç dhe Danjel Pepaj 25 vjeç, të zhdukur që prej mesditës së 3 Tetorit në fshatin Bajzë të Malësisë së Madhe, vijojnë.
Gazetarja Aida Topalli sjell pamje nga kontrollet e ushtruara nga autoritetet në zonën e Zagorës, në disa godina të braktisura, ku mendohej se ishte fshehur Danjel Pepaj. Pavarësisht kërkimeve, mësohet se deri më tani nuk është mundur të gjendet asnjë gjurmë e vlefshme.
E teksa policia vijon kërkimet, burime për tvklan.al thonë se efektivëve iu është bashkuar edhe babai i Danjel Pepajt, Rrok Pepaj.
Fati i tre të rinjve vijon të mbetet mister. Nga të dhënat e deritanishme, dyshohet se Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj akuzonin kushëririn e tyre Danjel Pepaj se u kishte vjedhur 50 kg kanabis.
Për këtë arsye, ata u nisën me makinë drejt Zagorës, pasi Danjeli do t’u tregonte ku ishte fshehur kanabisi i vjedhur. Por pas 2 orësh, Olson Çutaj që po priste në makinë, vendosi të njoftonte policinë sepse nuk kishte më asnjë kontakt me të 3 personat./tvklan.al