Ditët e fundit janë shtuar zërat e faktorit ndërkombëtar të cilët po kërkojnë nga qeveria dërgimin e draftit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese. Pas ndihmëssekretarit amerikan Obrien të njëjtën kërkesë e ka bërë edhe ambasadori britanik në Kosovë. Por për ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kjo nuk është ndonjë çështje e re.
“Kjo është një pyetje që bëhet tash e katër vjet si ministër i kësaj qeverisë. Nuk kam një përgjigje të re për një çështje që nuk është e re”, tha Krasniqi.
Ai u pyet edhe për hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë.
“Krejt çka mund të shtoj te kjo pjesa e diskutimit për hapjen e Urës mbi Ibër është se kjo urë s’ka asnjë arsye që kjo urë të vazhdojë të jetë e mbyllur. Së paku jo në aspektin e komunikimit të komuniteteve në këto dy pjesë të kryeqytetit, tashmë qytetarët nga veriu kalojnë në pjesën jugore dhe ata nga jugu në pjesën veriore dhe situata është e qetë, e kontrolluar dhe është në atë formë që hapja e urës mbi Ibër s’do të kishte asnjë ndikim”, shtoi ai.
Gjatë muajve të verës, qeveria ishte e zëshme me deklaratat e saj për hapjen e urës mbi lumin Ibër, por që u kundërshtua dhe vazhdon të kundërshtohet fuqishëm nga faktori ndërkombëtar, me arsyetimin se një veprim i tillë mund të nxisë tensione ndëretnike.
Tv Klan