Tre rezultate të ndryshme kanë marrë skuadrat që përfaqësojnë Shqipërinë në kupat e Evropës.

Për Champions League Tirana barazoi me norvegjezët e Stabaek, një rezultat që nuk e prisnin as vetë bardhë e blutë.

Vllaznia e humbi mjaft thellë ndeshjen e parë me Rapidin, ndërsa Flamurtari jep shpresë me fitoren në Vlorë ndaj skocezëve të Motherwell. Ish-trajneri i kombëtares, Astrit Hafizi, jep vlerësimin e tij.

Astrit Hafizi: “Tirana mendoj që duke pas ndeshjen e parë në fushën e saj unë mendoj që ka humbur një shans të mirë për ta fituar këtë ndeshje dhe për ta parë si shpresë të madhe për ndeshjen e dytë, ndërsa për Flamurtarin unë mendoj që kishte një periudhë shumë të gjatë në mos marrjen pjesë në kupat e Evropës, ndoshta i mohohet ajo përvojë eksperience, por unë mendoj që doli e kundërta. Paraqiti një gjendje mjaft të mirë, arriti rezultat, pavarësisht se është minimal, por më mirë është të fitosh një ndeshje me rezultat minimal sesa mos ta fitosh atë”.

Gazetari: Një mendim për të rinjtë e Flamurtarit?

Astrit Hafizi: “Unë mendoj që është një skuadër, e cila premton shumë. Është një skuadër me element shumë të mirë të rinj, ndërsa me Vllazninë kishte një vështirësi. Ndoshta pesë gola janë shumë, por duke parë dhe gjendjen e saj edhe jo me disa ndryshime jo si sezoni i kaluar, u prit pak a shumë që do ta kishte shumë të vështirë këtë ndeshje.”

Disi me ndryshe shihen këto rezultate nga sytë e një gazetari.

Fatmir Mëneri: “Sidoqoftë rezultati i Flamurtarit ishte jo vetëm i merituar, por ndoshta dhe befasues.”

Gazetari: Tirana?

Fatmir Mëneri: “Tirana gjykoj që nuk ka qenë fort e përgatitur për këtë kompeticion, megjithëse mendoj që shpresat janë jo thjesht të vakëta dhe Tirana mund të bëjë diçka në ndeshjen e kthimit”.

Gazetari: Vllaznia?

Fatmir Mëneri: “Vllaznia? Do ta ketë thjesht për arkivë. Flamurtari do ta ketë të vështirë, por është një ekip ambicioz dhe unë shpresoj shumë”.

Gazetari: “Një vlerësim për të rinjtë e Flamurtarit?”

Fatmir Mëneri: “Është pikërisht aty ku është shpresa më e madhe.”

Gazetari: Faleminderit!/tvklan.al