Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Atashetë e huaj ushtarakë në Tiranë, i janë drejtuar Ministrisë së rendit Publik, për të mësuar mbi gjendjen në kufirin shqiptaro-maqedonas. Diplomatët e huaj, janë pritur nga Ministri i Rendit Ilir Gjoni, ai i Mbrojtjes Lleshi dhe shefi i SHIK-ut Klosi. Tre zyrtarët shqiptarë kanë garantuar atashetë e huaj, për vendosmërinë e qeverisë shqiptare, për ruajtjen e stabilitetit në rajon.

Në mbështetje të policisë kufitare, theksuan zyrtarët shqiptarë, janë dërguar 100 trupa komando të Ministrisë së Mbrojtjes, që patrullojnë të gjithë vijën kufitare. Ministri i Rendit Gjoni, ka theksuar para diplomatëve ushtarakë të huaj, se nga territori shqiptar, nuk ka pasur asnjë shkelje kufiri të paligjshëm. Deri tani nuk ka pasur asnjë problem shqetësues theksuan zyrtarët e lartë shqiptarë. Diplomatët e huaj, pas njohjes mbi gjendjen e kufirit, janë interesuar mbi fluksin e të ardhurve nga Maqedonia dhe probleme të tjera mbi kufirin./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj