Dy persona mbetën të plagosur në një atentat me armë zjarri, mbrëmjen e të martës në Shkodër.
Ngjarja ndodhi në afërsi të një lokali në fshatin Grudë e Re, ndërsa të plagosur mbetën: 30-vjeçari Gjon Nika dhe kunati i tij 28-vjeçar Gjergj Ndershtiqaj, ky i fundit student në Akademinë e Sigurisë.
Të dy të plagosurit udhëtonin me një makinë tip BMË ndaj së cilës autorët qëlluan rreth 40 plumba.
Si pasojë e breshërisë së kallashnikovit, automjeti i tyre mori flakë.
Pas atentatit autorët të cilët u larguan me shpejtësi, ndërsa dogjën edhe automjetin e tyre tip “Renault”, shumë pranë vendit të ngjarjes.
Studenti i Akademisë së Policisë dhe kunati i tij u dërguan në spitalin rajonal të Shkodrës, ku janë nën kujdesin e mjekëve.
Në vendin e ngjarjes mbërritën shërbimet e policisë së Shkodrës, ndërsa në ndihmë të policisë vendore shkuan edhe disa grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe RENEA-s.
Në drejtim të Shkodrës udhëtoi edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rumbullaku, i cili zhvilloi një takim me drejtuesit vendorë të policisë.
Nga hetimet paraprake policia dyshon se shënjestër e atentatit ishte 30-vjeçari Gjon Nika, ndërsa studenti i Akademisë së Policisë është plagosur aksidentalisht.
Tv Klan