Gjergj Ndërshtiqaj dhe Gjon Nikaj i shpëtojnë për mrekulli breshërisë së tre kallashnikovëve
Ky është momenti kur në mbrëmjen e 12 Marsit qëllohet me breshëri zjarri ndaj Gjergj Ndërshtiqaj dhe Gjon Nikaj. Dy të rinjtë sapo parkojnë makinën në një lokal në fshatin Grudë e Re kur tre persona derdhin breshëri plumbash ndaj tyre.
Gjon Nikaj largohet me vrap duke bërë zig zage, për t’u shpëtuar plumbave.
Ndërsa Gjergj Ndërshtiqaj mundohet të fshihet pas makinës.
Zjarri i pandërprerë i armëve automatike ka vijuar për gati 30 sekonda deri kur makina shpërthen në flakë. Nga shpërthimi Gjergj Ndërshtiqaj ka përfunduar disa metra larg makinës, por ka u shpëtuar flakëve.
Më pas autorët e atentatit janë larguar me një mjet tip Reno, i cili u gjet i djegur me tre kallashnikovë brenda.
Nga informacionet e mbledhura deri më tani rezulton se ndaj dy të rinjve u qëlluan nga tre persona, ndërsa një i katërt i priste në makinë. Policia gjeti rreth 100 gëzhoja plumbash kallashnikov në vendngjarje. 28-vjeçari Gjergj Ndërshtiqaj dhe kunati i tij morën nga një plumb në bark.
Ndërshtiqaj është punonjës policie dhe aktualisht vijon studimet në Akademinë e Sigurisë. Ai ka pasur armën e shërbimit dhe nga pamjet duket se tenton t’u kundërpërgjigjet atentatorëve. Por nuk e ka pasur të mundur të përballet me breshërinë e kallashnikovëve.
Ndërshtiqaj para një viti ka punuar në Dukagjin, ku policia ka zhvilluar disa operacione të suksesshme kundër mbjelljes së kanabisit dhe pikërisht dyshimet e para janë se 28-vjeçari ishte objektiv i atentatit.
Policia ka shoqëruar rreth 20 persona, por ata janë lënë të lirë pas marrjes në pyetje. Dy të plagosurit kanë dëshmuar nga spitali se nuk kanë konflikte, ndërsa nuk kanë mundur t’i shohin autorët për shkak të errësirës.
Klan News