Edhe në dyllë Adolf Hitleri nuk është i mirëpritur në Berlin.
Modelit të udhëheqësit nazist, që u ekspozua në një degë në kryeqytetin gjerman të muzeut të famshëm, Madame Tussauds, i është këputur koka.
Në këtë mënyrë ka protestuar një 41-vjeçar ndaj pranisë së ish-diktatorit në këtë muze ku paraqiten edhe modele të figurave më të njohura të botës.
Atentatori ishte revoltuar nga shfaqja e diktatorit në muze dhe duke bërtitur, “Kurrë më luftë”, hodhi figurën nga karrigia.
Modeli në dyllë, i cili kushton 200 mijë euro, mbi të cilin punuan gati 4 muaj dhe 20 bashkëpunëtorë, do të mungojë për një kohë të gjatë.
Kundrejt kritikave të shoqatave hebre, politikanëve dhe historianëve organizatorët e ekspozitës argumentuan se Hitleri është paraqitur në figurën e një njeriu të thyer pak kohë para kapitullimit dhe jo në piedestalin e pushtetit.
Mirëpo ky nuk është problemi i vetëm i ekspozitës së Madame Tussauds. Ish-kancelari Helmut Kohl nuk është i kënaqur me figurën e tij dhe ka kërcënuar se do t’i hedhë në gjyq./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle