Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Vritet në afërsi të gjimnazit “Qemal Stafa” një 35 vjeçar nga Fieri. Rreth orës 21 të mbrëmjes është qëlluar për vdekje Edmond Vrufo, i shpallur në kërkim nga policia e qytetit të Fierit, për veprën penale të vrasjes dhe për shfrytëzim femrash për qëllime fitimi.

Viktima ka qenë i ulur së bashku me katër persona të tjerë në lokalin e quajtur Metani, kur një person ka qëlluar nga një makinë, duke e plagosur rëndë. I plagosuri është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak, por nuk ka mundur të shpëtojë, pasi një plumb i ka shkaktuar plagë të rënda në bark. Arma mendohet të ketë qenë me silensiator, pasi asnjë nga kalimtarët apo njerëzit e ulur në lokal nuk kanë dëgjuar të shtëna.

Në vendngjarje kanë ardhur menjëherë ekspertët e policisë kriminale, të cilët kanë kryer hetimet e para. Janë shoqëruar për në polici, për t’u marrë në pyetje katër persona, të cilët ishin të ulur në tavolinë me viktimën, në kohën kur ndodhi ngjarja. Nuk është hera e parë, që persona të shpallur në kërkim për vepra të rënda penale siç është rasti i Edmond Vrufos, shëtisin të lirë pa u shqetësuar nga policia./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka