Autorët të cilët lanë të vdekur katër persona pasditen e 30 tetorit në Shkodër, kanë ndjekur makinën në të cilën udhëtonin Hamza Lici dhe Arlind Bushati nga lagja Kiras deri sa i qëlluan me breshëri plumbash. Kjo makinë është parë duke ndjekur automjetin tip Benz, në unazën Perëndimore. Grupi hetimor ende nuk ka përcaktuar me saktësi banesën në të cilën fshihej automjeti që është përdorur në atentatin makabër.

Nga verifikimet e policisë, mjeti luksoz rezulton i vjedhur në 17 prill të këtij viti në qytetin e Durrësit. Kjo është zbuluar pas rikuperimit të shasisë së mjetit që u dogj pas atentatit në fshatin Golem të Shkodrës.

Policia dyshon se në automjetin tip Benz ka qenë dhe një person tjetër së bashku me Hamza Licin dhe Arlind Bushatin. Nga breshëria e plumbave besohet se ai ka mbetur i plagosur. Klan News ka mësuar se forcat e rendit kanë kryer kontrolle në disa klinika private pasi rezulton se në spitalin e Shkodrës nuk është paraqitur asnjë person i plagosur me armë. Deri më tani policia nuk ka një njoftim zyrtar rreth identitetit të personit që shfaqet pranë trupit të Hamza Licit, në videon e regjistruar nga kalimtarët, pas atentatit. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë i shumëkërkuari, Ibrahim Lici.

Mëngjesin e së të dielës bilanci i viktimave u rëndua, në katër. Në spital ndërroi jetë pas katër ditësh, Bashkim Basha, i cili ndodhej në gjendje kome. Ai u përplas nga mjeti Benz teksa lëvizte me motor bashkë me gruan e tij. Kjo e fundit mbeti e vdekur në vend bashkë me Hamza Licin, ndërsa Arlind Bushati ndërroi jetë pas disa orësh, në spitalin e Shkodrës.

Klan News