Gazetarja Emi Kalaja në një lidhje direkte në Milori Live, tha se Pashko Ujka ka marrë plumb në shtyllën kurrizore dhe gjendja e tij është kritike për jetën.
64-vjeçari, ish-kryetar i Komunës së Velipojës, dyshohet se u qëllua me pistoletë. Ngjarja e rëndë ndodhi pranë shtëpisë së Ujkës, në rrethana dhe shkaqe ende të paqarta.
“Rreth orës 18:15, në lagjen “Vasil Shanto” Shkodër, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi P. U., 64 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorit. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e ngjarjes”, tha policia në njoftimin paraprak për mediat.
Gazetarja po ashtu thotë se të afërmit e Ujkës u kanë bërë thirrje qytetarëve që të dhurojnë gjak (të gjithë ata që janë A negativ), për t’i shpëtuar atij jetën.
Pashko Ujka ka qenë kryetar i Komunës së Velipojës nga viti 2011 deri në 2015, ndërsa po ashtu ka qenë edhe deputet në radhët e PDK (gjatë viteve 2005-2009). /tvklan.al