Babë e bir janë shpallur në kërkim nga Policia e Shkodrës, pasi në afërsi të banesës së tyre u gjetën rreth 8 kilogram lëndë narkotike kanabis sativa.

Policia më tej ka asgjësuar 3459 bimë kanabis dhe ka sekuestruar rreth 8 kilogram lëndë narkotike në kuadër të operacionit “territori i pastër”.

“Gjatë kontrolleve bazuar në pamjet filmike të siguruara gjatë monitorimeve me dron si  dhe në inteligjencën policore u bë e mundur asgjësimi i 3459 bimëve narkotike kanabis dhe sekuestrimi i një sasi prej 8.256 kg kanabis në formë boçeje. Për këtë rast Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër shpallën në kërkim shtetasin 66-vjeçarin dhe djalin e tij 17 vjeç,” njoftojnë blutë e Shkodrës.

Ndërkaq operacioni i policisë ka vijuar dhe në zonë të tjera, ku janë sekuestruar 1160 bimë kanabis sativa në territoret e njësive administrative Pult, Shosh dhe Postribë. 691 bimë të tjera kanabis u sekuestruan në Malësinë e Madhe dhe rreth 1608 në Vaun e Dejës.

“Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër u  asgjësuan në territoret e njësive administrative Pult, Shosh dhe Postribë, 1160 bimë të tjera kanabis. Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe u  asgjësuan në territorin e njësisë administrative Kelmend, 691 bimë kanabisi. Ndërsa nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës  u asgjësuan në territorin e njësisë administrative Shllak, 1608 bimë kanabis,” njofton më tej policia./tvklan.al