Mbetet edhe një ditë që kombëtarja shqiptare të luajë ndeshjen e tretë të eliminatoreve të Botërorit kundër Hungarisë në stadiumin që mban emrin e futbollistit më të famshëm vendas, Ferenc Pushkash.
Atmosfera në radhët e lojtarëve është e mirë. I vetmi që duket se do t’i mungojë skuadrës do të jetë Hamdi Salihi, i cili ka qenë i dëmtuar më parë dhe mesa duket ende nuk ka rikuperuar.
Në seancën e mbrëmjes do të përcaktohet edhe formacioni i saktë që do të zbresë nga minuta e parë përballë Hungarisë.
Deri tani mendohet se Shqipëria do të fillojë ndeshjen me Beqajn në portë, Dakun, Currin, Beqirin dhe Vangjelin në mbrojtje, në mesfushë për të shkatërruar aksionet e kundërshtarit janë Cana dhe Lala.
Duro, Skela dhe Hyka jo vetëm do të organizojnë lojën dhe të sulmojnë portën, por do të ndihmojnë edhe sulmuesin që mund të jetë Bogdani ose Kapllani.
Hungarezët nga ana tjetër e kanë vlerësuar Shqipërinë as më pak as më shumë, por si një kundërshtar të cilin duhet ta mundim patjetër, kjo sipas trajnerit të tyre holandez, Kuman. Skuadra e tij do ta nisë menjëherë me sulm lojën ndaj Shqipërisë./tvklan.al
Gazetar: Erion Todhe