Tragjik është aksidenti i ndodhur këtë të martë në një autostradë në perëndim të Bullgarisë. Të paktën 45 persona, pjesa më e madhe turistë nga Maqedonia e Veriut humbën jetën pasi autobusi me të cilin udhëtonin u aksidentua dhe shpërtheu në flakë. Në mesin e viktimave ka edhe 12 fëmijë.

7 persona mbetën të plagosur rëndë dhe u dërguan në spital në kryeqytetin bullgar të Sofjes.

Ministria e Brendshme bullgare tha se në autobus ndodheshin 52 persona. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 02:00 në autostradën Struma, rreth 45 kilometra në perëndim të Sofjes.

Të mbijetuarit u hodhën nga autobusi në flakë. Ata kanë marrë dëmtime të shumta megjithatë ndodhen në gjendje të stabilizuar.

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha se viktimat ishin turistë që ktheheshin në Shkup nga një udhëtim turistik në fundjavë nga Stambolli i Turqisë.

“Sipas të dhënave të para që kam, bëhet fjalë për një agjenci turistike nga Shkupi, dhe shumica e viktimave janë nga Shkupi. Në mesin e tyre ka më shumë se dhjetë fëmijë, por kishte edhe shumë të rinj tjerë që po kishin shfrytëzuar pushimin e zgjatur, pasi të hënën ishte ditë feste”, ka deklaruar Osmani.

Maqedonia e Veriut shpall 3 ditë zie kombëtare

Maqedonia e Veriut ka shpallur 3 ditë zie kombëtare pas ngjarjes tragjike ku 45 udhëtarë humbën jetën pasi autobusi i tyre u aksidentua dhe më pas u dogj.

Flamujt në Maqedoninë e Veriut janë ulur në gjysmështizë në nder të viktimave.

Autobusi u aksidentua në një autostradë në Bullgari. Viktimat ishin turistë të cilët po ktheheshin nga Stambolli.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha më herët gjatë një lidhje live me Klan News se mes viktimave ka edhe fëmijë të moshës 5-vjeçare.

Tragjedisë kanë mundur që t’i shpëtojnë vetëm 7 persona. Sipas ministrit, ata ndodheshin në fundin e autobusit, dhe kanë pasur kohë që të thyejnë xhamat pasi kanë shpërthyer flakët që u morën jetën 45 të tjerëve.

Aksidenti tragjik në Bullgari, Xhaçka: 45 viktima, shqiptarë të RMV-së

Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka ka shprehur ngushëllimet e saj për familjet e viktima që humbën jetën pas ngjarjes së rëndë ku një autobus me udhëtarë nga Maqedonia e Veriut u aksidentua dhe më pas shpërtheu në flakë.

Ministrja Xhaçka thotë se Shqipëria ndodhet pranë Maqedonisë së Veriut në këto momente të vështira, ndërsa thekson se 45 jetët e humbura janë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut.

“Dhimbje e madhe për 45 jetët e humbura të shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut gjatë aksidentit tragjik në Bullgari. Ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe shërim të shpejtë të plagosurve. Shqipëria është pranë Maqedonisë së Veriut në këto momente të vështira”, shkruan Xhaçka në Twitter.

Aksidenti në Bullgari, reagon Zaev: Tragjedi e vërtetë gjatë natës, viktima edhe fëmijë nga RMV

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka udhëtuar së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani drejt Sofjes për të vizituar të plagosurit në aksidentin tragjik të autobusit në Bullgari ku humbën jetën të paktën 45 udhëtarë nga Maqedonia e Veriut.

“Një tragjedi e vërtetë ndodhi gjatë natës në Bullgari. Qytetarë maqedonas humbën jetën në një aksident me autobus, duke përfshirë disa fëmijë dhe të rinj dhe duke u plagosur shumë të tjerë. U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe uroj shërim të shpejtë për të plagosurit”, njoftoi Zaev në një postim në rrjetet sociale.

Aksidenti tragjik me 45 viktima, reagon Rama: S’ka fjalë…

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale pas ngjarjes tragjike ku humbën jetën të paktën 45 udhëtarë nga Maqedonia e Veriut të një autobusi që u aksidentua dhe më pas u përfshi nga flakët në Bullgari.

“S’ka fjalë për tragjedinë e autobusit nga Maqedonia e Veriut në Bullgari, ku kanë humbur jetën thuajse të gjithë udhëtarët… Dhimbje”, shkruan Rama.