Puna në tunelin e Llogarasë po avancon gjithnjë e më shumë dhe me ritme të shpejta, për të qenë gati me 30 Qershor për sezonin turistik. Ecurinë e punimeve e pa nga afër Zv/Kryeministrja Belinda Balluku e cila u shpreh se paralelisht po punohet edhe me rrugët lidhëse.
Belinda Balluku: Automjetet e tonazhit të rëndë nuk do të kalojnë në tunelin e Llogarasë këtë verë pasi do të jemi në kolaudim e sipër dhe do të jetë i hapur vetëm për automjetet private dhe për autobusët ndërkohë mjetet e tonazhit të rëndë do të vijojnë të ndjekin rrugën e vjetër për të mos krijuar probleme apo trafik. Rrugët lidhëse që është pjesa më e rëndësishme se si do të devijohet i gjithë trafiku nga dalja e tunelit dhe për tu lidhur me rrugën Palasë-Dhërmi që është një tjetër pjesë e re që ne kemi ndërtuar.
Balluku nënvizoi se duke parë shtimin e fluksit të automjeteve dhe turistëve drejt jugut edhe tuneli i emergjencës mund të bëhet për kalimin e automjeteve.
Belinda Balluku: Sigurisht në projektim ne tubin e sigurisë e kemi konsideruar edhe për një zhvillim në të ardhmen. Nëse numri i automjeteve do të rritet duke pasur parasysh të gjithë ndërtimet, duhet pasur parasysh që në tre apo katër vitet e ardhshme mund të kemi një rritje të fluksit të trafikut dhe ne e kemi konceptuar që në fillim që tubi i emergjencës mund të kthehet në një tub qëndror pra për ta bërë me dy kalime.
Gjerësi e rrugës C2 do të ketë dy korsi me nga 3.5 metra gjerësi secila duke ofruar më shumë siguri dhe standarde për të gjithë përdoruesit e rrugës që i drejtohen rivierës së jugut.
Klan News