Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Gafurr Adili dhe Taip Mustafaji nuk do të largohen nga Shqipëria, të paktën deri në dhënien e vendimit të formës së prerë nga gjykata për akuzën e nxitjes së urrejtjes kombëtare. Avokati i kësaj dosje Bashkim Nikolli ka pohuar, se klienti i tij Adili, praktikisht nuk ka shtetësi, pasi ai u largua nga Maqedonia në vitin 85, kur ky vend ishte pjesë e Federatës Jugosllave.

Por me çfarë po merren dy të akuzuarit si drejtues të AKSH, pak ditë pas lirimit nga burgu në Shqipëri?

Avokati Bashkim Nikolli:- “Ditën e djeshme kanë qenë në Vlorë, bashkë me dhjetëra kosovarë dhe shqiptarë, për të respektuar ditën e Flamurit dhe mesa jemi të gjithë në dijeni, aty pati një ekspozitë të mbi dy mijë fotografive të dëshmorëve të rënë në luftën e Kosovës”. Strukturat e policisë janë nxituar kur kanë kërkuar përzënien e Adilit dhe Mustafajit nga vendi ynë, thotë avokati i tyre.

Avokati Bashkim Nikolli:- “Kur për të dy u vendos masa e arrestit me burg, i quante të tillë që ky kod penal i Republikës së Shqipërisë, vepron mbi to dhe me të mbaruar punë në thonjëza. Pra me të kaluar këto pesë muajt e arrestit në burg, menjëherë je i padëshiruar, pra kur duan të dënojnë, me këtë kod penal, kur s’kanë kryer asnjë vepër, as në Shqipëri as jashtë Shqipërisë, për nxitjen e urrejtjes nacionale dhe kur vjen puna që unë të jetojë në shtetin Shqiptar, si bashkëkombas, menjëherë duhet marrë urdhri apriori pa përfillur ligjin”.

U interesuam edhe se si e përballojnë jetesën dy të akuzuarit në Tiranë, politika e së cilës u tregua e ashpër me ta, duke i akuzuar, si anëtarë të një grupi terrorist që vepronte në Maqedoni.

Avokati Bashkim Nikolli:- “Për mjetet e jetesës, dua të them, se mbështeten nga puna e tyre që kanë bërë, kryesisht kanë qenë në emigracion dhe kanë punuar vetë, me vite të tëra, nga puna e familjeve të tyre, që gjatë gjithë kohës kanë pasur përkushtim përkujdesjen e tyre, këto kanë qenë dhe mbeten burimet”./tvklan.al