Ish-deputeti tashmë i Partisë Demokratike, Ervin Salianji do të shkojë mbrëmjen e sotme në burgun e Fierit për të vuajtur dënimin me 1 vit heqje lirie, të dhënë nga Gjykata e Apelit.

Këtë e ka konfirmuar zyrtarisht avokati i z.Salianji, Ledio Braho, i cili tha për gazetarët pas daljes nga Policia e Tiranës, se Ervin Salianji do të dërgohet drejt burgut të Fierit sonte në mbrëmje.

“Pamë një sjellje krejtësisht korrekte nga oficeërt e policisë. Salianji u nis drejt burgut që i ka caktuar regjimi, që është burgu i Fierit, që mbrëmjen e sotme do iki direkt në burgun e Fierit”, theksoi Braho.

I pyetur nga gazetarët nëse do të jetë problem fakti që Salianji do të jetë në të njëjtin burg ku janë edhe ish-funksionarë apo ish-eksponentë të PS që janë dënuar, avokati u shpreh se: “Nuk ka asnjë problematikë të tillë, të paktën nga informacionet që ne kemi. Gjithsesi kjo është detyrë e shtetit, nuk është detyrë e z.Salianji që të shmangë përplasjet”.

Ervin Salianji u vetëdorëzua pasditen e sotme rreth orës 17:30 në Policinë e Tiranës, një ditë pasi Gjykata e Apelit e dënoi me 1 vit burg për kallëzim të rremë për çështjen “Babalja”.

/tvklan.al