Gazetari Blendi Fevziu ka shkuar deri në Teqenë e Abaz Aliut ku takoi Baba Mondin e më pas të dy u nisën drejt Tyrbes së shenjtë në Çukën e Tomorrit. Baba Mondi shpjegoi se si besimtarët kryejnë ritin e lutjes sa herë shkojnë atje.


“Bëhet një lutje këtu në fund, gjithmonë përballë personit që është varrosur. Edhe pasi mbaron, vazhdon del përjashta.”

Më pas ai u lut brenda Tyrbes së Abaz Aliut.

Baba Mondi: Unë do bëj ritin, ejvallah. Unë do të bëj një lutje për ty dhe të gjithë këta që kanë ardhur. Bismishah, Allah Allah! O zot ti që je i pari, para teje s’ka gjë, ti që je i fundit, mbas teje s’ka gjë. Ti i dukshëm, mbi ty s’ka gjë. Ti je i urtë e i mençur, ti ke qenë para çdo gjëje. Ti mbetesh pas çdo gjëje. Ti veç dëshiron dhe hyn në zemrën e njeriut. Ti dëgjon e shikon çdo gjë. Ti je Zoti i çdo gjëje. Mbaroma dëshirën, largoma mërzinë, ndihmomë të kryej detyrimet e mia për hir të Profetit dhe bijve të tij, të pastër e të bekuar. Të qofshim falur o Allah. Bismishah, Allah Allah!

O Zot ti je mbrojtja ime! Kam një kërkesë për gjithë këta besimtarë që kanë ardhur sot dhe për Televizionin Klan që merr pjesë në këto xhirime për këtë vend të shenjtë. Zoti na largoftë kundërshtarët, magjistarët, xhindet e syrin e keq. Na dhëntë dashuri, paqe e mirësi! Çdo hidhërim të zhduket me fuqinë tënde madhështore o Zot, në dritën e profecimit tënd ja Muhamed, ja Muhamed, ja Muhamed. Në shenjtërinë tënde, ja Ali, ja Ali, ja Ali. S’ka trim përveç Aliut. O i madhi Zot prano faljet tona! Zoti na i pranoftë!

/tvklan.al