“Pala tjetër ka zgjedhur një rrugë tjetër që është rruga që t’i dali në krahë krimit me faktin duke sulmuar Policinë. Me faktin duke sulmuar operacionet që strukturat janë angazhuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe kanë zgjedhur instrumente sipas meje të gabuar për ta baltosur të gjithë këtë punë dhe për fat të keq kanë zgjedhur dhe partnerë të gabuar, kanë zgjedhur llumin e këtij vendi.”
Në këtë mënyrë ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj u është përgjigjur akuzave për çështjen “Babale” pas publikimit të një videoje të dytë ku Fredi Alizoti pretendon se është takuar me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliun i cili sipas tij i ka bërë presion që të ndryshojë dëshminë. Xhafaj thotë se fjalën e fundit duhet të thotë drejtësia.
“Nuk do të preferoja të bëja një koment për këtë çështje, se boll kam bërë komente për këtë, edhe për një arsye fare të thjeshtë që kjo është një çështje që i takon drejtësisë. Unë besoj se kam kulturën e nevojshme, politike, institucionale dhe ligjore që të respektoj në çdo rast autoritetet e drejtësisë dhe vendimmarrjet e tyre. Për sa i përket çështjes që është duke u përfolur kaq gjatë dhe që është bërë temë dite, është një çështje që besoj që është në një hetim të plotë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. U takon atyre dhe më pas gjykatës që të japin verdiktin rreth kësaj çështjeje.”
Deklaratën kreu i ministrisë së Brendshme e bëri në krah të zv/Presidentit të Policisë Kriminale Gjermane, Peter Henzler, pas takimit me të cilin tha se po zhvillohen hetime të përbashkëta. I pyetur për ekstradimin nga Gjermania të Arbër Çekajt për çështjen e sekuestrimit të 613 kg kokainë në portin e Durrësit, Xhafaj zbuloi se hetimet vazhdojnë.
“Çështja është nën hetim mes dy vendeve dhe nuk mund të flasim për një ekstradim.”
Arbër Çekaj është pronari i kompanisë “Arbri Garden”, në kontenierët me banane të së cilës u transportua kokaina. Për këtë rast janë ende në qeli shoferi i kamionit Armano Pezaku dhe menaxheri i kompanisë, Donaldo Lushaj.
Tv Klan