Reagojnë Presidenca dhe opozita

Shumica do t’i rrezoi dekretet e kreut të shtetit për 2 ligjet që përbëjnë paketën antishpifje. Presidenti i ktheu për rishqyrtim në parlament për t’i dhënë mundësinë këtij të fundit të përfshijë në këto ligje sugjerimet e shoqatave të medias, por Taulant Balla thotë se socialistët nuk kanë asnjë plan që të marrin në konsideratë argumentet e Ilir Metës.

“Dihej se ky hap i rëndësishëm që Shqipëria hodhi për të luftuar dizinformimin si një kërcënim për cilësinë e demokracisë jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën demokratike, se Presidenti Ilir Meta pas, urdhrit të Lulzim Bashës do të kthente mbrapsht përmes një dekreti dy ligjet komponente të kësaj pakete të parë të betejës me shpifjen. Legjislacioni shqiptar duhet përmirësuar sa më shumë për të garantuar fitoren e të vërtetës ndaj shpifjes. Ritheksoj se përmirësimet ligjore në të dyja ligjet antishpifje janë certifikuar tërësisht nga partneri ynë i rëndësishëm OSBE edhe në kuadër të faktit historik që Shqipëria ka nderin, përgjegjësinë e madhe të drejtojë këtë organizatë. Sipas procedurës parlamentare, ditën e hënë më datë 20 Janar 20 ardhja e dekreteve i njoftohet seancës plenare dhe menjëherë sipas procedurës Komisioni përgjegjës do ti shqyrtojë dhe në seancën më të parë pasuese dekretet e Zotit Ilir Meta me detyrë President i Republikës do të rrëzohen”.

Kreu i shtetit reagoi në rrjetet sociale duke kërkuar reflektim, pasi sipas tij, 2 vitet e fundit Shqipëria ka një përkeqësim të treguesve që lidhen me respektimin e lirisë së shprehjes.

“Liria e shprehjes, liria e medias dhe e drejta e informimit, përveç se janë të drejta themelore kushtetuese, janë të lidhura ngushtë me parimin e ndërtimit dhe funksionimit të një shteti demokratik. Shqipëria dy vitet e fundit ka një përkeqësim të këtyre treguesve, sipas konkluzioneve të organizatave prestigjioze ndërkombëtare të gazetarëve, si dhe të institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë respektimin e lirisë së medias.
Ndaj është koha për të reflektuar dhe për të mos ecur me kokëfortësi në rrugën e censurës dhe autoritarizmit, që do të përbënte rrezik për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Edhe njëherë, i ftoj të gjithë të lexojnë me vëmendje argumentet kushtetuese dhe ligjore të kthimit për rishqyrtim në Kuvend të paketës së ashtuquajtur “anti-shpifje”
.

Edhe demokratët jashtë parlamentit reaguan për dekretet e Presidentit, duke e vlerësuar si një vendim të drejtë që i jep mundësinë shumicës të tërhiqet nga këto ligje që për ta janë antikushtetues.

Presidenti argumentonte se synimi i shumicës ishte që përmes amendimeve ligjore të paketës antishpifje të vendoste nën kontroll median dhe të minimizonte zërin kundër dhe atë kritik. Ndërsa mazhoranca thotë se ligjet e saj nuk cënojnë lirinë e shprehjes, por mbrojnë qytetarët nga sulmet mediatike dhe abuzimet me lajmet e rreme.

Tv Klan