Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, iu përgjigj nga foltorja e Kuvendit deklaratave të deputetit Ditmir Bushati për miratimin e ndryshimeve në një kontratë koncesionare.

Balla tha se koncesioni në fjalë, ai i Porto-Romanos, është miratuar nga qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë rreth 6 vite më parë, kur në këshillin e ministrave bënte pjesë edhe Ditmir Bushati si ministër i Jashtëm.

Madje sipas Taulant Ballës kontrata ka marrë konfirmimin edhe të opozitës dhe në këtë kuadër nuk beson se Bushati ka votuar ndryshe.

“Doja të thoja një përgjigje për një kolegun tim që sot në mëngjes më kërkoi që donte të fliste për një çështje me rëndësi. Mendova se do të fliste për çështjet e integrimit europian. Kuvendi  sot po shqyrton një shtesë në një kontratë të një koncesioni që mos gaboj ka 5 ose 6 vite që është miratuar nga qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë. Në atë kohë ka qenë edhe opozita e vjetër dhe është votuar me konsensus nga Kuvendi i Shqipërisë. Nuk besoj që në qeverinë ku ka qenë kolegu im të ketë votuar kundër kolegu”, tha Balla.

Balla tha se deklarata e Ditmir Bushatit iu duk si fjalimet e ish-deputetes demokrate Grida Duma. Sipas kreut të grupit parlamentar socialist, fjalimi i Bushatit ishte vetëm për të kapur lajmin e ditës.

“Unë nuk kam qenë ndonjëherë anëtar i qeverisë, kam qenë gjithmonë deputet i PS-së dhe gjërat i shoh njëlloj sikur jam, se nuk dua të them atë që tha Grida Duma se fjala e kolegut mu duk si fjala e Grida Dumës, i shoh gjërat mirë nga jashtë, por nuk më pëlqejnë nga brenda. Dua të sqaroj që këtu kur vjen, ne duhet të japim shembullin. Kur një investim privat ecën mirë, paguan taksat dhe ka nevojë të bëjë një ndryshim kontrate, kjo historia e këtyre diskutimeve patetike në gjoja në interes të njerëzve, por është thjesht për të kapur lajmin e ditës nuk i bën nder askënd. Këtu po e bëj sqarimin, shtesa e kontratës koncesionarit është domosdoshmëri për të vijuar një investim të rëndësishëm, për ta çliruar portin nga ndotjet. Aty do të jetë një port turistik dhe vetëm për qytetarët. Nuk duhet të ketë shkarkim lëndësh”, tha Balla./tvklan.al