Me lot në sy nga Shkodra, Ministri i Brendshëm Taulant Balla u kërkoi grave dhe vajzave që të denoncojnë dhunën.

Taulant Balla, Ministër i Brendshëm: Kjo është një ngjarje e rëndë, fjalët nuk i lidhim dot. Nga ky moment i vështirë u bëj një thirrje të gjitha vajzave, grave në këtë vend që ta denoncojnë dhunën.

Ne kemi përgjegjësitë tonë si shoqëri në tërësi sepse duhet që t’i japim më shumë besim grave dhe vajzave që ta denoncojnë, ta kalojnë këtë momentin e vështirë të asaj vendimmarrjes që duhet të marrin për të shpëtuar nga kalvari i vuajtjeve.  Ai kërkoi edhe bashkëpunimin e qytetarëve në këtë aspekt.

Taulant Balla, Ministër i Brendshëm: Na duhet një shkëputje nga kjo situatë në kuptimin e një reagimi mbarëshoqëror sepse një rol të rëndësishëm këtu luan shoqëria, luan komshiu, luan vëllai, luan motra, luan çdo kush që ka dijeni dhe nuk e tregon.  

Në studion e Klan News psikologia Arjana Muçaj sugjeron që vajzave duhet t’u flitet për të drejtat e tyre në fushata të vazhdueshme sensibilizimi.

Arjana Muçaj, psikologe: Për t’ju folur për të drejtat dhe liritë e grave, për t’ju folur për mënyrën se si kërkojnë ndihmë, për t’iu folur për mënyrën se si mund të largohen nga vendi ku ato ndihen të abuzuara, por aq me tepër për t’iu folur në lidhje me profesionet e caktuara që këto gram und të bëjnë për të qenë të zonjat e vetes, sepse në shumicën e rasteve këto gra ndihen, thashë, të pashpresa sepse nuk kanë një ndihmë financiare, ana e tyre ekonomike ne mund të dimë që mund të jetë zero sepse janë të papuna, janë gra shtëpiake, nuk mund të përballojnë jetesën nëse do të ndahen me bashkëshortin. Pra unë do të thosha që fushatat e ndërgjegjësimit duhet te jenë prezente gjatë gjithë kohës.

Nisur nga rastet e shtuara të dhunës në familje dhe asaj seksuale kanë kaluar në Kuvend edhe ndryshimet për ashpërsimin e Kodit Penal.

Klan News