Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, priti Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Nick Abbott.
Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i shkëlqyer mes dy vendeve. Ministri Balla shprehu krenarinë për integrimin e diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe në jetën ekonomike, sociale, kulturore, etj.
“Ndërsa shumë bashkëatdhetarë po regjistrohen si votues nga jashtë për Zgjedhjet e 11 Majit, është me rëndësi miratimi sa më parë në Kuvend i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor mbi mbulimin e shpenzimeve nga KQZ për dërgimin dhe kthimin me postë të fletës së votimit dhe materialeve të tjera informuese; zgjerimi deri në 60 ditë i afatit të regjistrimit të kandidatëve për të mundësuar më shumë kohë për dërgimin dhe kthimin e fletëve të votimit; si dhe për procedurën e numërimit dhe vlerësimit të votave nga jashtë. Koha e mbetur është shumë e shkurtër dhe Kuvendi duhet t’i japë zgjidhje me qëllim suksesin e plotë të këtij momenti historik për demokracinë”, theksoi ministri gjatë takimit.
Me ambasadorin britanik, Balla bisedoi edhe për misionin e agjencive ligjzbatuese të dy vendeve tona, të cilat po bashkëpunojnë fuqimisht në luftën kundër aktiviteteve kriminale.
/tvklan.al