Deputetja e opozitës Dhurata Çupi bëri debat në Kuvend me Zv.Kryeministren Belinda Balluku për investimet në Rrugën e Arbrit, dhe veçanërisht për Tunelin e Murrizit.
Dhurata Çupi, deputete e PD: Rruga e Arbrit akoma nuk ka përfunduar siç parashikohej në kontratë, por ne vazhdojmë të paguajmë shumë më tepër. Mungesë e plotë transparence se ku shkojnë paratë tona, vetëm këtë mund të dallojmë. Askush nuk mund të thotë se kur mund të përfundojë rruga, megjithëse paratë derdhen lumë nga qeveria për një nga kontratat më të majme.
Zv.Kryeministrja Belinda Balluku theksoi se vonesat kanë ndodhur për shkak të strukturës gjeologjike të terrenit ku ndodhet Tuneli i Murrizit, që do të jetë i kalueshëm deri në fund të vitit.
Belinda Balluku, Zv/Kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës: Kontratat janë të shkruara. Para nuk shpenzohet as edhe një qindarkë tjetër përveç atyre që janë nënshkruar në kontratë 33 miliardë e 600 milionë lekë. Kështu që futeni këtë në kokë, asnjë lekë nuk do të shpenzohet. Janë kosto të kompanisë që ka marrë përsipër atë vepër publike nga nja kontratë e firmosur në vitin 2018. Rruga e Arbrit ka vazhduar dhe problematika qëndron në Tunel të Murrizit, shpresojmë shumë ta dorëzojmë brenda 31 dhjetorit të 2024-ës.
Balluku u ndal edhe tek Tuneli i Llogarasë duke theksuar se do jetë i hapur për automjetet brenda dy muajsh, shumë më shpejt se sa ishte parashikuar në kontratë.
Belinda Balluku, Zv/Kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës: Ne dorëzojmë vetëm për 2 muaj Tunelin e Llogarasë, pra jemi të njëjtët ne që ndërtojmë edhe Llogaranë edhe Murrizin. Kështu që si ka mundësi që Tuneli i Llogarasë do të dorëzohet 6 muaj para përfundimit të afatit, dhe Tunelin e Murrizit e mbakemi pa shtuar edhe një qindarkë nga buxheti i shtetit.
Të dy tunelet në Llogara, si ai kryesori dhe i emergjencës kanë gjatësi totale prej 6 kilometrash. Ky tunel do të funksionojë në dy drejtime, dhe bashkë me aeroportin e Vlorës synojnë t’i japin tjetër frymëmarrje ekonomisë së zonës dhe të lehtësojnë aksesin drejt bregdetit të jugut.
Klan News