“Tunelin e Llogarasë e dorëzojmë brenda dy muajsh”
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku hodhi poshtë si të pavërta pretendimet e deputetes opozitare Dhurata Çupi se qeveria ka lënë pas dore qarkun e Dibrës dhe në veçanti Rrugën e Arbrit.
Duke replikuar me të, Balluku tha se vonesat në tunelin e Murrizit, pjesë e Rrugës së Arbrit, kanë ardhur si pasojë e përbërjes gjeologjike të terrenit që përshkron tuneli dhe se për të nuk do të ketë asnjë fond shtesë.
Deputetja Dhurata Çupi: Rruga e Arbrit akoma nuk ka përfunduar siç parashikohej në kontratë, por vazhdojmë paguajmë shumë më tepër.
Ministrja Balluku: Para nuk shpenzohet as edhe një qindarkë tjetër përveç atyre që janë nënshkruar në kontratë, 33 miliardë dhe 600 milionë Lekë. Dhe problematika qëndron në tunel të Murrizit, shpresojmë shumë ta dorëzojmë brenda 31 Dhjetorit 2024.
Duke marrë shkas pikërisht nga ky debat, zëvendëskryeministrja Balluku konfirmoi se brenda një tjetër vepër e rëndësishme infrastrukturore siç është tuneli i Llogarasë do të përfundojë brenda Qershorit.
“Ne dorëzojmë vetëm për 2 muaj tunelin e Llogarasë. Pra jemi të njëjtët ne që ndërtojmë edhe Llogaranë, edhe Murrizin. Kështu që si ka mundësi që tuneli i Llogarasë do të dorëzohet 6 muaj para afatit”?
Tuneli i Llogarasë ka një gjatësi prej 5.9 kilometra dhe ai do të përshkohet për vetëm 7 minuta, duke shkurtuar ndjeshëm distancën me plazhet e kristaltë të jugut.
Tv Klan