Ndërprerja e seancave parlamentare nuk është njoftuar institucionalisht pasi Kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, nuk ka mbledhur kryetarët e grupeve parlamentare për të marrë një vendim të tillë. Opozita hamendëson se shkaku i mbylljes së Kuvendit është frika e ngritjes së Komisionit Parlamentar ndaj Kryeminstirt Nano si dhe kalimi i datës së Kongresit të Socialistëve në mënyrë që të mos votohen ministrat e munguar. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Bamir Topi, e quan arbitrar vendimin e Pëllumbit pasi nuk po ruan pozitat e një kryeparlamentari.
Bamir Topi: “Besoj një nga aryset e forta të anullimit të seancës është pikërisht nisma ligjore e 35 deputetëve për hetimin e ngjarjes së Shkallnur-it. Besoj është një element, i cili na jep të drejtën të dyshojmë që Zoti Nano dhe Zoti Pëllumbi kanë qenë në sintoni të plotë për të bërë të mundur shtyrjen e seancës, sepse jemi edhe në prag, sikurse thashë, të 12-vjetorit, sepse gjithçka në jetën e instiucioneve shqiptare për fat të keq, është lidhur me këtë datë. Ndërkohë që Zoti Pëllumbi, praktikisht është bërë pjesë e skemave taktike të Nanos, i cili është vërtetuar tashmë duke paraqitur pretekste nga më të ndryshmet për të ardhur te data 12 Dhjetor”.
Me të njëjtën gjuhë është përgjigjur edhe Kryetari i Demokristianëve Nikollë Lesi.
Nikollë Lesi: “Jo vetëm ka vrarë njeri, por kërkon, me shtyrjen e punimve të Kuvendit, të vrasë parlamentin, të vrasë qeverisjen e vendit, të vrasë perspektivën e Shqipërisë. Jo vetëm ka bërë aksidentin e 3 Shkurtit 2001, por edhe ka fshehur, gjë që dënohet nga 7 deri në 14 vjet burg sipas Kodit Penal.”/tvklan.al