Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Pas dilemash që zgjatën për muaj me radhë dhe studimit të shumë varianteve dhe skemave, selia blu ka ngushtuar rrethin e emrave të diskutuar si kandidatë të mundshëm për zgjedhjet e Tetorit në Bashkinë e Tiranës. Mes tyre duket se spikat më shumë, emri i nënkryetarit të PD Bamir Topi. Ish-ministri i Bujqësisë në kabinetin e kryeministrit Meksi, pjesëtar i një familje të vjetër tiranase, me reputacion në kryeqytet, ai nuk e ka thënë edhe akoma qartë “po” e tij, të paktën publikisht.
Dihej që propozimi i është bërë zotit Topi, javë më parë nga lideri i opozitës Sali Berisha dhe në fakt kjo ide e tij është e vjetër, pasi Berisha e ka parë Bamir Topin që në vitin 1996, si një kandidat potencial, me të cilin PD mund të përfaqësohej në Bashkinë e Tiranës. Edhe gjatë zgjedhjeve të vitit 2000, emri i zotit Topi ishte ndër më të lakuarit në zyrën e Berishës.
Vetë lideri i opozitës ka investuar politikisht, në mënyrë të vazhdueshme te kryetari i grupit parlamentar të PD. I zgjedhur në këtë detyrë dhe në atë të nënkryetarit të partisë, me përkrahjen direkte të Berishës.
Vetë zoti Topi edhe pse nuk e ka pranuar kandidaturën për kryetarin e bashkisë së Tiranës, asnjëherë nuk e ka mohuar atë. Edhe në një intervistë të gjate, që pritet të publikohet nesër në një të përditshme të Tiranës, zoti Topi më shumë se kurrë, lë shteg të kuptohet se për herë të tretë do t’i thotë po Berishës./tvklan.al
Gazetare – Elona Meço