Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Banka e Kursimeve deklaron se të hënën do të nisë shpërndarjen e parave për 5 mijë kreditorët e parë të kompanisë rentiere Kamberi.

“Ne kemi rënë dakord ta bëjmë këtë me përfaqësuesit e Këshillit Mbikëqyrës të skemave piramidale, të cilët na kanë dhënë 200 milion lekë për të shpërndarë. Këshilli Mbikëqyrës i skemave piramidale do të publikojë sot emrat e të gjithë kreditorëve që do të marrin paratë. Banka e Kursimeve Raiffaisen, ka vendosur të fillojë procesin e shpërndarjeve të parave në 4 rrethe të vendit, Tiranë, Vlorë, Sarandë dhe Fier”.

Afro 9 mijë kreditorët e tjerë të kompanisë, do të përfitojnë paratë rreth mesit të shtatorit. Banka deklaron, se paratë e kreditorëve janë vendosur në llogari individuale me të drejtë interesi.

Kryetari i këshillit mbikëqyrës të transparencës së fajdeve Farudin Arapi, deklaroi se brenda vitit pritet të marrin para të gjithë kreditorët e mbetur të kompanive rentiere të VEFA Holding dhe Gjallicës, por anëtari i bordit drejtues të Bankës së Kursimeve Raid deklaron, se banka nuk është njohur ende me afate kohore për likuidimin e kreditorëve të mbetur.

Në dispozicion të kreditorëve pas përfundimeve të transparencës dhe shitjes së aseteve të kompanive piramidale janë afro 50 miliard lekë. Ndërkohë që janë shlyer gjatë viteve të fundit kreditorët e 7 kompanive të tjera rentierë, me afro 16 milion dollarë. Paratë e siguruara nga transparenca e kryer prej 7 vjetësh përbëjnë vetëm 5-6% të borxhit të akumuluar nga 225 mijë kreditorët./tvklan.al