Banka e Kursimeve tashmë konsiderohet e privatizuar. Banka e Shqipërisë ka miratuar kërkesën për transferimin e aksioneve të kësaj banke nga Ministria e Financave te banka austriake Reiffeisen Bank e cila do të jetë dhe menaxherja e re që do të menaxhojë veprimtaritë bankare sipas licensës të dhënë pa kufizime, 100% e aksioneve i përkasin asaj. Këshilli mbikqyrës ka marrë dhe një tjetër vendim për Bankën e Kursimeve, dhënien e lejes për rifillimin e kredidhënies, aktivitet i cili ishte ndaluar 6 vite më parë. Kufizimi i aktivtetit kredidhënës për Bankën e Kursimeve nisi për të mos lejuar mundësinë e përkeqsimin të cilësisë së aktiviteteve të saj si dhe për te ruajtur vlerën deri në procesin e privatizimit. Aksioneri i ri pritet të rrisë konkurrencën ndërsa për vetë bankën:
Shkëlqim Cani: “Priten zhvillime pozitive në drejtim të administrimit, të organizimit, të drejtimit dhe të përmirsimit të teknologjisë së informacionit. Marrëdhëniet me klientët, bankat e nivelit të dytë dhe Bankën e Shqiprisë gjykojmë se do t’përmirsohen ndjeshëm sipas standarteve më të mira të bankingut ndërkombëtar. Miratimi i aksionerit të ri, shoqëruar me heqjen e kufizimit të angazhimit të bankës në aktivitetetin e kredidhënies, do t’sjellë aktivizimin e saj në kreditimin e ekonomisë dhe n’mnyrë të veçantë kreditë për biznesin privat.”
Mbështetje përfaqësuesve të Reiffeisen Bank iu ka dhënë edhe kryeministri Nano gjatë një takimi me Stepic zëvendësdrejtorin e bordit të bankës austriake. Çmimi prej 126 milionë dollarëve tregon se ky është privatizimi më i madh i arritur në historinë e privatizimeve të deritanishme. Pasdite në prani të ministrit të Financave e drejtorit Kamberi, zëvendësdrejtori i Reiffeisen Bank tregoi qëllimet e kësaj banke që do të operojë në Shqipëri. Do të krijojë një treg kredie për kompani të mesme e të mëdha gjë që do të përshpejtojë rritjen ekonomike, do të jap hua për të gjithë kategoritë për të paguar edhe këstet e shtëpive, financim afatgjatë në infrastrukturë së bashku me institucionet ndërkombëtare e financime afatshkurtra tregtare. Reiffeisen Bank premtoi të ngrejë sindikatën e parë për euron e që do ta fusë Shqipërinë në tregun ndërkombëtar financiar. /tvklan.al