Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në stabilizimin e këmbimit valutor duke rritur sasinë e blerjes së monedhës Euro. Guvernatori Gent Sejko pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës tha se tregu valutor ka vijuar të karakterizohet nga presionet mbiçmuese të Lekut ndaj monedhave të tjera.

“Këto presione vazhdojnë të nxiten nga rritja e flukseve hyrëse valutore të ardhura nga turizmi, remitancat, si dhe investimet e huaja direkte. Megjithatë, krahasuar me vitin e kaluar, ritmi i mbiçmimit të kursit të këmbimit është zbutur, falë, ndër të tjera, edhe ndërhyrjeve të shtuara të Bankës së Shqipërisë për blerje valute.”

Sipas Sejkos, ekonomia është në mjedis pozitiv, inflacioni është në një nivel mesatar 2 për qind, ndërkohë janë rritur punësimi dhe pagat ne sektorin privat.

“Zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime ka vijuar të pasqyrohet në rritje të pagave e të punësimit. Sipas të dhënave të INSTAT-it, pagat mesatare në sektorin privat u rritën me 5.4% gjatë tremujorit të tretë, duke shënuar një ngadalësim të lehtë krahasuar me tremujorin paraardhës. Ky ngadalësim tregon një lehtësim të presioneve në tregun e punës dhe është premisë për një ecuri më të qëndrueshme të çmimeve dhe të inflacionit në të ardhmen.”

Bazuar mbi këto rezultate sipas Sejkos, Banka e Shqipërisë vendosi qe të mos e ndryshojë normën bazë të interesit prej 2.75%.

Tv Klan