Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.75%. Në fjalën e tij guvernatori Gent Sejko theksoi se ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri pozitive në gjysmën e dytë të vitit.

Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë: Aktiviteti ekonomik ka vijuar të rritet, inflacioni mbetet i ulët dhe nën kontroll, tregjet financiare shfaqen relativisht të qeta, ndërsa ritmet e rritjes së kredisë janë të larta.

Sejko bëri të ditur se është rritur kërkesa për mallra e shërbime duke reflektuar në rritjen e pagave.

Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë: Sipas të dhënave të INSTAT-it, pagat mesatare në sektorin privat u rritën me 5.4% gjatë tremujorit të tretë, duke shënuar një ngadalësim të lehtë krahasuar me tremujorin paraardhës. Ky ngadalësim tregon një lehtësim të presioneve në tregun e punës dhe është premisë për një ecuri më të qëndrueshme të çmimeve dhe të inflacionit në të ardhmen.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë theksoi se lehtësimi i politikës monetare ka ndikuar të gjitha segmentet e tregut duke ulur kostot e financimit për qeverinë, biznesin dhe familjet shqiptare.

Klan News