Zhvillimet më të fundit ekonomike të vendit, ecuria e çmimeve, si dhe pritshmëritë lidhur me treguesit ekonomikë në të ardhmen ishin në fokus të takimit të Guvernatorit Gent Sejko me përfaqësuesin e FMN-së për Ballkanin Perëndimor, Sebastian Sosa.
Gjatë fjalës së tij, Sejko u shpreh se ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri pozitive ku aktiviteti ekonomik, punësimi dhe pagat janë zgjeruar me ritme të qëndrueshme. Inflacioni erdhi në rënie dhe mbeti në nivele të ulëta, ndërsa treguesit e stabilitetit ekonomik dhe financiar shënuan përmirësim.
Gjithashtu, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, nënvizoi se perspektiva e zhvillimeve ekonomike për të ardhmen mbetet pozitive, ndërsa inflacioni pritet të kthehet në objektivin e bankës prej 3% gjatë vitit 2025.
Përfaqësuesi i FMN-së për Ballkanin Perëndimor, Sebastian Sosa u ndal te rëndësia e kthimit të inflacionit në objektiv dhe shprehu mbështetjen ndaj masave të Bankës së Shqipërisë.
Gjatë takimit, ndër të tjera u theksua nevoja dhe rëndësia e vazhdimit të bashkëpunimit mes dy institucioneve dhe vijimit të ofrimit të asistencës teknike në të ardhmen.
Klan News