Portugalia nuk shkoi më shumë se barazim pa gola në transfertë ndaj Skocisë, në ndeshjen e vlefshme për raundin e katërt në Ligën e Kombeve.

Luzitanët gjithashtu kishin pretendime edhe për arbitrimin në këtë përballje. Pas përfundimit të ndeshjes, ylli portugez, Cristiano Ronaldo, nuk u përmbajt ndaj gjyqtarit.

Shkak u bë mbyllja e lojës, ndërkohë që Portugalia kishte fituar goditje këndi dhe nuk u lejua ekzekutimi i saj nga arbitri.

Ronaldo u fokusua nga kamerat në një shpërthim ndaj arbitrit, ku nuk munguan edhe ofendimet. Gjithashtu 39-vjeçari, u fokusua teksa bënte gjeste ironike për gjykimin, ndërsa largohej nga fusha.

Pamjet menjëherë kanë bërë xhiron e rrjetit, për shkak të popullaritetit shumë të madh që ka Ronaldo. /tvklan.al